Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se aktualisht Uashingtoni nuk po shqyrton mundësinë e dërgimit të trupave tokësore amerikane në Iran.
Në një bisedë telefonike për transmetuesin amerikan NBCNews, Trump tha se një veprim i tillë do të ishte “humbje kohe”, duke theksuar se sipas tij Irani tashmë ka pësuar humbje të mëdha.
“Është humbje kohe. Ata kanë humbur gjithçka. Kanë humbur marinën e tyre. Kanë humbur gjithçka që mund të humbnin,” u shpreh ai gjatë intervistës.
Presidenti amerikan reagoi gjithashtu ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi, i cili kishte paralajmëruar se vendosja e trupave të huaja në territorin iranian do të sillte pasoja katastrofike për çdo pushtues.
Trump e hodhi poshtë këtë paralajmërim, duke e cilësuar atë si një “koment të kotë”.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa situata mes SHBA-së dhe Iranit vazhdon të mbetet e ndjeshme në planin diplomatik dhe ushtarak.









