Betohen 9 anëtarët e rinj të KQZ-së para Presidentes Osmani

Nëntë anëtarë të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë kanë bërë betimin para presidentes Vjosa Osmani, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt funksionalizimit të plotë të këtij institucioni.

KQZ përbëhet nga gjithsej 11 anëtarë, përfshirë kryetarin, ndërsa për emërimin e anëtarit të fundit, presidentja i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.

Anëtarët që u betuan përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike: Alban Krasniqi dhe Violeta Salihu nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Gashi nga PDK, Sami Hamiti nga LDK, Muharrem Nitaj nga AAK, Stefan Filipoviq nga Lista Serbe, Mufera Sinik nga KDTP, Delvir Tairi nga Koalicioni Vakat dhe Shukrije Stolla nga PSD e Ashaklinjve.

Në një njoftim zyrtar, Presidenca bëri të ditur se presidentja Osmani uroi anëtarët për detyrën e re, duke theksuar rolin e rëndësishëm të sistemit zgjedhor në forcimin e demokracisë në vend.

Ndërkohë, çështja e emërimit të anëtarit të fundit mbetet e hapur. Më 24 mars, Osmani kërkoi interpretim nga Gjykata Kushtetuese pas kërkesave të ndryshme të partive politike për përfaqësim në KQZ, duke theksuar se janë paraqitur më shumë kandidatura sesa lejon Kushtetuta.

Organizata Demokracia në Veprim (DnV) ka kundërshtuar këtë hap, duke argumentuar se referimi në Kushtetuese po shkakton vonesa në kompletimin e institucionit dhe në funksionimin e tij të plotë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa katër të tjerë përfaqësojnë komunitetet joshumicë, përfshirë një nga komuniteti serb dhe tre nga komunitetet e tjera.

Procesi i emërimit duhet të përfundojë brenda 60 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore, të cilat për zgjedhjet e fundit janë konfirmuar më 9 shkurt.