Tregu i karburanteve në vend rrezikon të përballet me mungesa, pasi importuesit kryesorë të naftës dhe benzinës kanë paralajmëruar masa drastike pas vendimit të fundit të Bordit të Transparencës për uljen e çmimeve.
Bordi fiksoi çmimet e reja të shitjes me pakicë në 203 lekë për litër naftë dhe 175 lekë për benzinë, ndërsa ato me shumicë në 191 dhe 163 lekë për litër. Por, sipas kompanive importuese, këto nivele janë nën koston reale të furnizimit.
Në reagimin zyrtar drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, importuesit paralajmërojnë se, për të shmangur humbjet e mëdha, mund të detyrohen të ndërmarrin masa të menjëhershme, përfshirë:
• pezullimin ose kufizimin e shitjes me shumicë;
• ngadalësimin e procesit të zhdoganimit të karburanteve në Porto Romano.
Sipas tyre, përllogaritja e çmimeve nga Bordi bazohet në një formulë të vitit 2022, e cila nuk reflekton realitetin aktual të tregut dhe kontratat ekzistuese me furnitorët ndërkombëtarë.
Importuesit theksojnë se çmimet e vendosura nuk mbulojnë kostot reale, duke rrezikuar seriozisht zinxhirin e furnizimit në vend nëse situata nuk rishikohet në kohë.









