Serbia liron katër shqiptarët e arrestuar – do të hetohen në gjendje të lirë

Katër shqiptarët e ndaluar disa ditë më parë në Serbi do të lirohen dhe do të hetohen në gjendje të lirë, pas vendimit të Gjykatës. Lajmi është bërë i ditur nga deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Sipas vendimit, ndaj tyre nuk do të zbatohet më masa e paraburgimit, ndërsa procedurat hetimore do të vijojnë pa kufizim të lirisë.

“Katër djemtë shqiptarë të ndaluar në Serbi do të lirohen menjëherë dhe do të hetohen më pas në gjendje të lirë. Ky është vendimi i Gjykatës”, është shprehur Balla.

Ngjarja ndodhi disa ditë më parë në Serbi, ku autoritetet policore arrestuan katër shtetas shqiptarë me inicialet A.S. (37 vjeç), E.V. (42 vjeç), E.G. (48 vjeç) dhe A.C. (21 vjeç), të akuzuar për nxitje të urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare.

Sipas raportimeve, njëri prej tyre kishte publikuar në rrjetin social Facebook një video ku shfaqeshin së bashku, duke udhëtuar me automjet, ndërsa këndonin këngë me motive patriotike dhe mbanin veshje me simbole kombëtare shqiptare. Pamjet e shpërndara në media u konsideruan nga autoritetet serbe si shkak për arrestimin e tyre.