Aksident fatal në Shkodër – Automjeti përplaset me shtyllën dhe murin – humb jetën drejtuesi

Një aksident tragjik është regjistruar mbrëmjen e së hënës në Shkodër, ku një drejtues automjeti ka humbur jetën pasi doli nga rruga.

Sipas informacionit paraprak, rreth orës 19:25, në aksin rrugor “Shtoj – Ish-Reparti Ushtarak”, në një rrugë dytësore, shtetasi me inicialet N.K., duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit.

Për pasojë, automjeti është përplasur me një shtyllë dhe më pas me murin rrethues të një objekti pranë rrugës. Si rezultat i përplasjes së fortë, drejtuesi i mjetit ka humbur jetën në vendngjarje.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.