Gjykata Kushtetuese e Kosovo ka vendosur të pezullojë përkohësisht dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, të firmosur nga presidentja Vjosa Osmani, deri në shqyrtimin e plotë të çështjes.
Pas këtij vendimi, Qeveria e Kosovës reagoi përmes një komunikate zyrtare, ku thekson se masa e përkohshme e Gjykatës ndalon zbatimin e dekretit deri në vendimin përfundimtar. Sipas ekzekutivit, kjo periudhë i jep mundësi Gjykatës Kushtetuese që të trajtojë çështjen në mënyrë të plotë, në përputhje me rendin kushtetues dhe parimet demokratike të funksionimit të institucioneve.
Qeveria nënvizon gjithashtu se për tre javët e ardhshme vendi do të mbetet në një situatë pritjeje institucionale, ndërsa disa vendime dhe marrëveshje të rëndësishme për qytetarët nuk mund të marrin miratimin e Kuvendit.
Në përfundim të reagimit, ekzekutivi shpreh pritshmërinë që vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të sjellë qartësi të plotë për këtë çështje dhe të vendosë një standard kushtetues që në të ardhmen të shmangen situata të ngjashme.
Reagimi i plotë:
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me Dekretin për shpërndarjen e Kuvendit pezullon zbatimin e këtij dekreti deri në shqyrtimin në merita të çështjes.
Ky vendim krijon hapësirën që çështja të trajtohet në mënyrë të plotë nga Gjykata Kushtetuese, në përputhje me rendin kushtetues dhe parimet e funksionimit demokratik të institucioneve.
Për tre javë jemi në gjendje pritjeje ndërkohë që një sërë marrëveshjesh dhe vendimesh me rëndësi për qytetarët vazhdojnë të mbeten pa miratimin e Kuvendit.
Qeveria pret që vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të japë qartësi të plotë mbi këtë çështje dhe të përcaktojë standardin kushtetues që në të ardhmen institucionet dhe qytetarët mos të përballen me këto pengesa serioze.









