SHBA–Iran, përplasja e heshtur – mbyllet raundi i nxehtë i bisedimeve – “loja” bërthamore sapo ka hyrë në fazë tjetër

Raundi i fundit i bisedimeve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në Oman është mbyllur, por tensioni mes dy armiqve të vjetër duket se vetëm sa po rritet. Negociatat, të zhvilluara në mënyrë indirekte, përfunduan pas disa orësh diskutimesh intensive, me palët që shkëmbyen qëndrime përmes ministrit të Jashtëm të Omanit, Badr Albusaidi – ndërmjetësi që mbajti të hapur vijën e hollë të diplomacisë.

Mediat shtetërore iraniane konfirmuan se raundi ka përfunduar “për momentin”, ndërsa delegacionet po kthehen në kryeqytetet e tyre për konsultime të reja. Por sinjali që del nga kjo fazë nuk është qetësi – është paralajmërim për një kapitull të ri përplasjesh diplomatike.

Sipas agjencisë IRNA, nga takimi ka dalë një “mirëkuptim për vazhdimin e negociatave”, çka tregon se as Uashingtoni dhe as Teherani nuk janë gati ta mbyllin derën. Megjithatë, fjalët e buta diplomatike fshijnë një realitet më të ashpër: bisedimet po zhvillohen nën hijen e kërcënimeve të drejtpërdrejta ushtarake nga presidenti amerikan Donald Trump dhe paralajmërimeve të forta nga Teherani.

Diplomacia u rikthye pas javësh tensione të rrezikshme, ku retorika e luftës u afrua më shumë se tryeza e dialogut. Oman u shndërrua kështu në terrenin neutral ku dy palë që nuk i besojnë njëra-tjetrës detyrohen të flasin, jo për paqe të plotë, por për të shmangur shpërthimin.

Raundi u mbyll, por beteja për programin bërthamor iranian mbetet e hapur. Dhe mesazhi është i qartë: bisedimet vazhdojnë, por gishti mbetet pranë këmbëzës.