BE shtrëngon lakun – Paketa e 20-të e sanksioneve godet zemrën e energjisë dhe bankave ruse

Bashkimi Evropian ka ndezur një tjetër front ekonomik kundër Moskës. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shpalli paketën e 20-të të sanksioneve ndaj Rusisë – një goditje e drejtpërdrejtë mbi energjinë, sistemin financiar dhe rrjetet tregtare që mbajnë në këmbë makinerinë e Kremlinit.

Sipas saj, masat e reja synojnë t’i presin Rusisë një nga burimet kryesore të të ardhurave: naftën. BE vendos ndalim të plotë të shërbimeve detare për naftën bruto ruse, ndërsa lista e anijeve të “flotës hije” zgjerohet me 43 të tjera, duke e çuar totalin në 640 mjete detare të futura në radarët e sanksioneve.

Brukseli po godet edhe infrastrukturën e gazit: ndalime të reja për mirëmbajtjen dhe shërbimet ndaj cisternave të gazit të lëngshëm dhe anijeve akullthyese, duke vështirësuar projektet ruse të eksportit të LNG-së.

Në frontin financiar, paketa synon të mbyllë rrugët anësore të Moskës për pagesa dhe transaksione. 20 banka rajonale ruse futen në listë, ndërsa BE paralajmëron masa edhe kundër platformave të kriptomonedhave dhe kompanive që i përdorin për të anashkaluar kufizimet. Në shënjestër janë edhe disa banka në vende të treta që ndihmojnë tregtinë e mallrave të sanksionuara.

Goditja shtrihet edhe në tregti: ndalime të reja eksporti për produkte si goma, traktorë dhe shërbime të sigurisë kibernetike, si dhe ndalime importi për metale, kimikate dhe minerale kritike. BE po kufizon gjithashtu materialet dhe teknologjitë që përdoren për prodhimin e eksplozivëve.

Për herë të parë, Brukseli aktivizon edhe instrumentin kundër shmangies së sanksioneve, duke ndaluar eksportin e makinerive CNC dhe radiove drejt vendeve ku ekziston rrezik i lartë që këto pajisje të përfundojnë në Rusi.

Von der Leyen kërkoi miratimin e shpejtë nga shtetet anëtare, për të dërguar – sipas saj – një “sinjal të fortë” përpara përvjetorit të katërt të luftës. Mesazhi nga Brukseli është i qartë: presioni ekonomik ndaj Kremlinit jo vetëm vazhdon, por po shtrëngohet gjithnjë e më shumë.