Shefi i Grupit Parlamentar të Partia Demokratike e Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar sot se PDK mbështet një kandidat për president që përfaqëson jo vetëm një parti politike, por edhe pozitën, opozitën dhe qytetarët e Kosovës.
“PDK-ja e mbështet dikë që ka reputacion vendor dhe ndërkombëtar, është intelektual dhe i bën nder shtetit dhe popullit të Kosovës,” tha Tahiri në një prononcim për media. Ai shtoi se partia ende nuk ka diskutuar emra të veçantë, por është e gatshme të kontribuojë në interes të institucioneve dhe shoqërisë.
Tahiri nënvizoi se nëse nuk gjendet një kandidat që plotëson kriteret e kërkuara, PDK nuk përjashton mundësinë e zgjedhjeve të reja. Ai theksoi gjithashtu se partia nuk është e interesuar për marrëveshje politike, por për qasje proaktive dhe mbështetëse ndaj institucioneve.
Në pyetjen nëse Presidentja aktuale Vjosa Osmani i plotëson këto standarde, Tahiri shmangu të japë emra të veçantë, duke theksuar se vendit i nevojitet dikush mbi partitë politike dhe jo një figurë që përfaqëson vetëm një grup të caktuar.
Ai përfundoi duke thënë se, nëse kërkohet, PDK është e gatshme të propozojë edhe emra konkretë për kandidatin e ardhshëm të presidentit.









