Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë takimit me Grupin Parlamentar të Partia Socialiste se ka refuzuar tre herë dorëheqjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK dhe për të cilën Prokuroria e Posaçme kërkon heqjen e mandatit dhe arrestimin.
Rama tha se nuk do të komentojë për momentin procesin parlamentar, duke shtuar se do të presë raportin e Këshillit të Mandateve përpara se të japë një qëndrim për imunitetin e Ballukut.
“Belinda Balluku ma ka dorëzuar dorëheqjen tre herë: në mbrëmjen e ngritjes së akuzës, pas pezullimit të saj dhe më pas kur u ripezullua nga mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese. Por, unë e kam hedhur poshtë kategorikisht idenë e dorëheqjes,” theksoi Rama.
Ai sqaroi gjithashtu se akuzat ndaj Ballukut nuk lidhen me korrupsion, por me pabarazi në tendera, duke e cilësuar këtë si një çështje ndryshe nga perceptimet që janë përhapur në media.









