I arrestuar për trafik droge – SPAK sekuestron apartamentin e ish-anëtarit të LVV, Shemsi Bahtiri

SPAK ka sekuestruar një apartament në Qerret të Kavajës në pronësi të Shemsi Bahtirit, ish-anëtar i Lëvizja Vetëvendosje, i arrestuar nën dyshimet për trafik droge.

Prokuroria e Posaçme shqiptare u aktivizua pas një kërkese për ndihmë juridike nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila po heton Bahtirin për përfshirje në aktivitet të paligjshëm të trafikut të drogës.

Referuar hetimeve, SPAK ka kontrolluar jo vetëm Bahtirin, por edhe të paktën dy të dyshuar të tjerë. Nga verifikimet rezulton se në emër të tij është regjistruar subjekti “DAIMAN” SHPK, me objekt veprimtarie “Shitblerje e pasurive të paluajtshme”, i regjistruar më 11 mars 2025.

Bahtiri u përjashtua më parë nga Vetëvendosja dhe më pas u arrestua pas zbërthimit të të dhënave nga aplikacioni i koduar Sky ECC, që iu dorëzuan autoriteteve franceze. SPAK u përfshi për të sekuestruar pasuritë e paluajtshme që dyshohet se janë blerë me të ardhura nga aktiviteti kriminal.

Ai akuzohet për veprat penale të “Pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar”, blerjes, posedimit dhe shpërndarjes së narkotikëve dhe pastrimit të parave.