PARALAJMERIM/ Kremlini i përgjigjet planit të Tramp për Groenlandën: Rusia gati kundërpërgjigje ushtarake nëse SHBA vendos armë në ishull

Rusia ka paralajmëruar se do të reagojë me masa ushtarake nëse Shtetet e Bashkuara vendosin sisteme armësh në Groenlandë, duke rritur ndjeshëm tensionet në rajonin e Arktikut.

Deklarata erdhi nga zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergey Ryabkov, i cili theksoi se Moska është e përgatitur për një kundërpërgjigje të menjëhershme në rast se Uashingtoni avancon me planet për të shtrirë programin e tij të mbrojtjes nga raketat, të njohur si “Kupola e Artë”, në ishullin strategjik.

“Nëse amerikanët vendosin sisteme armësh në rajon apo elementë të konceptit të tyre të ‘Kupolës së Artë’ në Groenlandë, kjo do të kërkojë masa kompensuese ushtarake dhe teknike. Specialistët tanë janë plotësisht të gatshëm t’i ndërmarrin,” deklaroi Ryabkov.

“Nuk ka asnjë dyshim për këtë.”

Paralajmërimi vjen në një moment tejet delikat për sigurinë globale, vetëm dy ditë para skadimit të traktatit New START, marrëveshja e fundit e mbetur për kontrollin e armëve bërthamore mes SHBA-së dhe Rusisë.

Zhvillimet rreth Groenlandës po e shndërrojnë Arktikun në një pikë të re përplasjesh strategjike, ku interesat ushtarake dhe teknologjitë e mbrojtjes raketore po shtojnë frikën për një garë të re armatimesh mes fuqive të mëdha.