Arta Dollani, zyrtare e lartë e administratës shtetërore dhe e konsideruar si një nga personat e afërt të ministres Mirela Kumbaro, është vendosur në arrest shtëpie pas një aksioni të ndërmarrë nga Prokuroria e Durrësit.
Dollani, e cila aktualisht ushtron detyrën e drejtoreshës së Agjencisë së Arsimit Parauniversitar, po hetohet për shkelje të dyshuara të kryera më herët, gjatë kohës kur drejtonte Agjencinë Kombëtare të Mjedisit. Hetimet lidhen me çështjen e shumëdiskutuar të menaxhimit të mbetjeve të kompanisë Kurum.
Sipas burimeve hetimore, dyshohet se gjatë ushtrimit të funksionit të saj të mëparshëm janë kryer veprime apo mosveprime që lidhen me procedurat dhe kontrollin mjedisor për këtë subjekt industrial.
Të dy institucionet ku Dollani ka mbajtur poste drejtuese kanë qenë në varësi të ministrive të drejtuara nga Mirela Kumbaro, çka e vendos çështjen në një kontekst të ndjeshëm politik dhe administrativ.
Hetimet vijojnë për të sqaruar përgjegjësitë konkrete dhe rolin e secilit person të përfshirë në këtë dosje.









