“Nëse Ballukut s’i hiqet imuniteti, vdes parlamentarizmi!” – Deputeti Korreshi propozoi grevë të mos ngrëni, brenda Kuvendit

Deputeti i Partisë Demokratike, Sajmir Korreshi, hedh alarmin e fortë për institucionet shqiptare: nëse mazhoranca nuk i heq imunitetin zv/kryeministres Belinda Balluku, Kuvendi duhet të përballet me pasojat e rënda.

Korreshi zbuloi se kishte propozuar brenda grupit parlamentar të opozitës bllokimin e Kuvendit dhe deri në grevë urie, nëse çështja e Ballukut vijon të zvarritet. Ai e konsideron dramatik dhe skandaloz procesin e tejzgjatur nga maxhoranca, që pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, e cila është e pandehur dhe nën masë sigurie për tenderin e Llogarasë dhe Unazës së Madhe.

“Nëse imuniteti nuk hiqet, jo vetëm që kalon vija e kuqe, por vdes parlamentarizmi! Mazhoranca dhe Rama sfidojnë drejtësinë hapur dhe motivojnë ministrat për të vjedhur nëpërmjet kartonëve dhe detyrës”, paralajmëroi Korreshi.

Ai shtoi se Këshilli i Mandateve nuk po funksionon si duhet: “Ky këshill vetëm konstaton provat që vijnë nga SPAK, nuk merr vendim politik. SPAK ka sjellë prova të qarta, përfshi intimidimin e dëshmitarëve dhe tentativat për të prishur provat. Nuk ka asnjë justifikim për të zvarritur këtë proces.”

Korreshi nuk e fshehu as zemërimin për pasojat që mund të ketë prishja e procesit: “Nëse Kushtetuesja pranon ankimimin e Ramës, ministra dhe qeveria do të kenë më shumë guxim për të vjedhur dhe abuzuar. SPAK ka bërë punën e saj, provat janë të qarta. Nëse nuk veprohet tani, është fundi i parlamentarizmit në Shqipëri.”