Izraeli në gjëndje lufte – Netanyahu shpall “gatishmëri maksimale” për përballje të mundshme me Iranin

Benjamin Netanyahu ka urdhëruar Komandën e Frontit të Brendshëm të Izraelit dhe agjencitë e emergjencës që të përgatiten për një luftë të mundshme me Iranin, raportojnë mediat izraelite.

Sipas së përditshmes Yedioth Ahronot, kryeministri izraelit ka dhënë udhëzime të drejtpërdrejta për strukturat e shpëtimit dhe sigurisë që të rrisin nivelin e përgatitjes, ndërsa në të gjithë sistemin e sigurisë është shpallur “gjendje maksimale gatishmërie”.

Media thekson se urdhri përfshin mobilizimin dhe koordinimin e agjencive të ndryshme, në një klimë tensioni në rritje mes Izrael dhe Iran.

Ndërkohë, transmetuesi publik KAN raportoi se mbledhja e Kabinetit të Sigurisë, e planifikuar për të enjten për të diskutuar zhvillimet lidhur me Iranin, është shtyrë për të dielën, pa u dhënë detaje të mëtejshme mbi arsyet e shtyrjes.

Lëvizjet e fundit sinjalizojnë një përshkallëzim të retorikës dhe masave parandaluese nga ana e Izraelit, në një moment kur rajoni i Lindjes së Mesme mbetet në një ekuilibër të brishtë sigurie.