Alarm për qiratë në kryeqytet – Deri në 1,800 euro në muaj, Tirana po bëhet e papërballueshme

Tirana po përballet me një rritje të fortë të kostos së strehimit, duke e kthyer gjetjen e një apartamenti me qira në një sfidë serioze për mijëra të rinj dhe familje që jetojnë apo zhvendosen në kryeqytet.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në muajin janar qiratë shënuan treguesin më të lartë të inflacionit, me një rritje prej 8.5% në rang kombëtar. Por në tregun real të Tiranës, sidomos në zonat urbane më të kërkuara, rritja rezulton shumë më e lartë, duke variojnë nga 20% deri në 40%.

Sa kushton një apartament me qira?

  • Zona qendrore: 500 – 1,800 euro në muaj
  • Zona periferike: 300 – 850 euro në muaj

Çmimi ndryshon në varësi të vendndodhjes, sipërfaqes dhe standardit të apartamentit, por trendi i përgjithshëm është në rritje të vazhdueshme.

Ekspertët e tregut imobiliar parashikojnë se çmimet do të vijojnë të rriten për sa kohë kërkesa mbetet e lartë. Në këtë skenar, familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të detyrohen të zhvendosen gjithnjë e më shumë drejt zonave periferike, ndërsa pjesa qendrore e qytetit pritet të dominohet nga qiratë afatshkurtra ditore për turistët e huaj.

Fenomeni nuk është i izoluar vetëm në Shqipëri. Kriza e përballueshmërisë së strehimit po raportohet edhe në qytete si Lisbonë, Berlin, Madrid, Dublin, Amsterdam dhe Pragë, ku rritja e qirave ka tejkaluar ritmin e rritjes së të ardhurave.

Nëse ky trend vijon, Tirana rrezikon të përballet me një krizë të thellë strehimi, ku diferenca mes çmimeve të banesave dhe nivelit të pagave do të bëhet gjithnjë e më e theksuar.