NJOFTIMI/ SHBA reagon për protestën e PD: Ambasada paralajmëron qytetarët amerikanë të shmangin zonën e Kryeministrisë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka dalë me një njoftim zyrtar për qytetarët e saj në Shqipëri në lidhje me protestën e thirrur nga Partia Demokratike, e cila do të zhvillohet të premten, më 20 shkurt 2026, në orën 18:00.

Përmes një mesazhi publik në faqen zyrtare, ambasada këshillon qytetarët amerikanë të shmangin zonën e protestës, të monitorojnë mediat lokale dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për të garantuar sigurinë personale.

Sipas njoftimit, protestuesit pritet të mblidhen përpara ndërtesës së Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes Sheshi Nënë Tereza dhe Sheshi Skënderbej. Parashikohet prani e shtuar e forcave të policisë, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të trafikut si para ashtu edhe gjatë zhvillimit të protestës.

Policia e Shtetit ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime të ndryshme në qendër të Tiranës, çka mund të sjellë devijime dhe mbyllje të përkohshme të akseve kryesore.

Ambasada thekson se edhe pse tubimet shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë me shpejtësi. Për këtë arsye, personelit diplomatik amerikan i është kërkuar të shmangë pjesëmarrjen apo qëndrimin pranë zonës së demonstratës.

Në udhëzimet për qytetarët amerikanë përfshihen:

  • Shmangia e zonës së protestës
  • Qëndrimi vigjilent dhe i ndërgjegjshëm për mjedisin përreth
  • Kufizimi i shpërqendrimeve në publik (si telefoni apo kufjet)
  • Monitorimi i vazhdueshëm i mediave lokale
  • Mbajtja e një plani emergjence ose strategjie daljeje
  • Ruajtja e një profili të ulët

Njoftimi vjen në prag të protestës së opozitës, ndërsa autoritetet vendase pritet të marrin masa të shtuara sigurie për mbarëvajtjen e tubimit dhe rendin publik në kryeqytet.