DEKLARATA/ “Britania duhet të armatoset” – Alarm sigurie nga Keir Starmer: Sa më shpejt, drejt 3% të PBB-së për mbrojtjen

Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se Britania e Madhe duhet të rrisë me ritëm të përshpejtuar shpenzimet ushtarake, duke paralajmëruar se situata e sigurisë kërkon veprime më të shpejta.

Ai reagoi pas raportimeve të BBC se qeveria po shqyrton një rritje të përshpejtuar të buxhetit të mbrojtjes deri në 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas Starmer, vendi tashmë ka marrë angazhime financiare, por zhvillimet globale imponojnë ritëm më të madh investimi.

Burime pranë qeverisë bëjnë të ditur se në Downing Street po analizohen skenarë për ta arritur objektivin para afatit të planifikuar, çka mund të kushtojë miliarda paund shtesë.

Starmer e sinjalizoi këtë kurs edhe gjatë Konferenca e Sigurisë në Mynih, ku theksoi se përballja me kërcënimet e reja kërkon më shumë investime dhe më shpejt.

Aktualisht ai ka premtuar 2.5% të PBB-së për mbrojtjen deri në prill 2027, ndërsa synimi afatmesëm mbetet arritja e nivelit 3% brenda mandatit parlamentar që mund të zgjasë deri në vitin 2029.