“BUJARIA” E RAMES/ Tërhiqet PS në minutë të fundit! – Nuk ja heq Berishës bashkëkryetarin e “Territoriales”

Mazhoranca bën një lëvizje të papritur në Kuvend: Partia Socialiste tërheq nga rendi i ditës projektvendimin për ndryshimet në funksionimin e Komisionit të Reformës Administrativo-Territoriale, duke ndezur menjëherë përplasjen me opozitën.

Nisma u bë nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili kërkoi zyrtarisht që projektvendimi për ndryshimet në vendimin nr. 75, datë 27.10.2025, të mos shqyrtohet në këtë seancë. Me këtë lëvizje, komisioni mbetet siç është: në paritet, me bashkëdrejtim dhe të drejtë vetoje, duke shmangur për momentin ndryshimet e debatueshme.

Por opozita nuk e pa si hap teknik. Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, reagoi ashpër nga foltorja, duke theksuar se kërkesa e demokratëve ka qenë tërheqje e plotë, jo thjesht shtyrje. Sipas tij, vetëm tërheqja tregon vullnet politik, ndërsa lënia pezull e çështjes është “as mish as peshk”.

“Kjo është ajo që kemi kërkuar gjatë gjithë seancës. Tërheqja tregon vullnet, shtyrja nuk tregon asgjë. Nëse doni ta lini pezull, atëherë e mbani peng situatën,” u shpreh Boçi, duke akuzuar mazhorancën për paqartësi dhe manovër politike.

Lëvizja e PS-së shihet si një tërheqje taktike në një moment kur reforma territoriale mbetet një nga pikat më të ndjeshme të debatit politik, me tensione që po rriten si brenda sallës së Kuvendit, ashtu edhe jashtë saj.