Ish-deputeti i PD, Edmond Spaho, hedh një akuzë të fortë ndaj drejtuesve të partisë: sipas tij, çdo deputet që guxon të flasë hapur rrezikon përjashtimin nga studiot televizive, pastaj nga partia.
Në një analizë të thellë mbi zhvillimet e fundit lidhur me reformën territoriale, Spaho e cilëson veprimin e deputetëve që kundërshtuan bojkotin si një shërbim të madh për PD-në dhe për Shqipërinë. “Ata treguan se në opozitë ka ende njerëz me parime, jo vetëm ambicie për karrige,” shkruan ai, duke vënë në dukje se shumica e tyre vijnë nga Rithemelimi – lëvizja që synon të rikthejë program, rregulla dhe meritokraci në PD.
Por, Spaho nuk ngurron të kritikojë drejtuesit: sipas tij, udhëheqja ka zgjedhur interesat personale mbi ato të partisë dhe shoqërisë, duke lënë parimet politike në rrugë. Ai përmend edhe përvojën e tij personale: përjashtimin nga PD në tetor 2021 dhe shkarkimin nga detyra e Drejtuesit Politik të Korçës pa shpjegim, për shkak të vendosmërisë së tij ndaj Rithemelimit.
Sipas Spahos, ndryshimet në bojkotin e reformës territoriale tregojnë qartë se PD ende nuk ka mësuar nga gabimet e së kaluarës, duke i bërë thirrje deputetëve të mbajnë qëndrim të qëndrueshëm për të rikthyer partinë si forcë reale për të sfiduar Edi Ramën.
“Bëhet fjalë për një akt vetëflijimi politik,” përfundon Spaho, duke lënë të kuptohet se guximi për të folur hapur në PD është i rrallë dhe me kosto të lartë.
Postimi i Spahos:
Dje pati dy zhvillime të rëndësishme nga fronti i Partisë Demokratike. Fillimisht, PD deklaroi se bojkoti i reformës territoriale do të diskutohej në Kryesi dhe se më pas do të merrej një vendim për qëndrimin e mëtejshëm.
Më vonë, u njoftua se nuk do të ketë bojkot dhe se PD do të vazhdojë të jetë pjesë e reformës territoriale. Udhëheqja e PD-së dhe Kryetari u tërhoqën pasi panë se sa shumë deputetë iu kundërvunë bojkotit, i cili do të kishte pasoja të rënda jo vetëm për PD-në, por edhe për vendin.
Deputetët që kundërshtuan dje kanë bërë një shërbim të madh për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë. Ata treguan se në opozitë ka ende njerëz me parime dhe se jo të gjithë janë të interesuar vetëm për karrige.
Shumica e atyre që kundërshtuan vijnë nga Rithemelimi, çka tregon se kjo lëvizje nisi si një përpjekje për transformimin e PD-së në një parti me rregulla, parime, program dhe meritokraci.
Fatkeqësisht, këto parime u lanë rrugës për shkak të drejtuesve, të cilët zgjodhën interesa të tjera mbi ato të PD-së dhe të shoqërisë.
Të flasësh hapur në PD, ndryshe nga sa predikon udhëheqja dhe Kryetari, është një akt vetëflijimi politik. Kush ka folur është përjashtuar nga studiot televizive ose është vetëpërjashtuar.
Këtë e them me bindje personale, pasi jam përjashtuar nga PD në tetor 2021, kur ndoqa me vendosmëri Rithemelimin, si dhe jam shkarkuar nga detyra e Drejtuesit Politik të Korçës pa asnjë shpjegim, në prag të zgjedhjeve të vitit 2025.
Vazhdimi i ideve për bojkot të institucioneve, në kushtet kur PD është dobësuar ndjeshëm gjatë katër viteve të fundit, tregon qartë se jo vetëm që asgjë nuk ka ndryshuar, por edhe se cilët kanë qenë përgjegjës për braktisjen e reformës territoriale në vitin 2014, djegien e mandateve dhe mosmarrjen pjesë në zgjedhjet vendore të vitit 2019.
I theksoj këto për të evidentuar edhe një herë shërbimin e madh që ata 10 deputetë i kanë bërë Partisë Demokratike dhe shoqërisë. Uroj që ky veprim të kthehet në një qëndrim të qëndrueshëm, derisa PD të rikthehet në një forcë reale për të rrëzuar Edi Ramën.









