Ernest Muçi ishte thjesht i papërmbajtshëm! Ylli i Kombëtares shqiptare mori skenën për vete dhe udhëhoqi Trabzonsporin drejt një fitoreje bindëse 3-0 ndaj Fethiyesporit në Kupën e Turqisë, me një paraqitje që mbante firmën e tij nga fillimi në fund.
Pas një pjese të parë të ekuilibruar, ishte pikërisht Muçi ai që theu ndeshjen në minutën e 69-të, duke realizuar golin që zhbllokoi sfidën dhe i dha epërsinë skuadrës së tij.
Vetëm dhjetë minuta më vonë, ai ishte përsëri në qendër të vëmendjes, këtë herë si asistues, duke ndihmuar në realizimin e golit të tretë në minutën e 79-të.
Pas këtij suksesi, Trabzonspori ka grumbulluar gjashtë pikë nga tri ndeshje në Grupin A, ku njëkohësisht ndodhet edhe Galatasaray, një nga rivalët kryesorë në këtë kompeticion.
Muçi po kalon një formë të shkëlqyer edhe në kampionat, ku pas 17 xhirosh ka shënuar tetë gola dhe ka regjistruar një asistim.
Performanca e tij e fundit në Kupë vërteton se sulmuesi shqiptar po shfaq një konsistencë të lartë dhe po bëhet një element kyç për skuadrën e Trabzonsporit këtë sezon.









