AlLARMOHET LIBANI/ Akuza Izraelit për spërkatje kimikatesh kancerogjene mbi toka bujqësore

Një valë akuzash të rënda ka shpërthyer mes Libanit dhe Izraelit, pasi autoritetet libaneze pretendojnë se avionë izraelitë kanë spërkatur nga ajri kimikate të rrezikshme mbi tokat bujqësore në jug të vendit.

Sipas qeverisë libaneze, bëhet fjalë për një herbicid që lidhet me rrezik të shtuar për kancer, duke e cilësuar aktin si një “krim mjedisor dhe shëndetësor” që rrezikon drejtpërdrejt sigurinë ushqimore, jetesën e fermerëve dhe ekosistemin e zonës.

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, e dënoi ashpër ngjarjen, duke e quajtur një shkelje flagrante të sovranitetit kombëtar dhe paralajmëroi hapa ligjorë e diplomatikë kundër asaj që e përshkroi si agresion.

Akuzat përfshijnë pretendime se avionë të lehtë ushtarakë kanë kryer spërkatjen nga ajri, ndërsa thuhet se ekzistojnë edhe pamje filmike të operacionit. Sipas raportimeve, edhe misioni paqeruajtës i OKB-së, UNIFIL, është paralajmëruar të strehohej gjatë zhvillimit të operacionit.

Analizat laboratorike të kryera nga autoritetet libaneze kanë zbuluar praninë e glyphosate, një herbicid i përdorur gjerësisht në bujqësi, i cili në vitin 2015 u klasifikua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si “ndoshta kancerogjen për njerëzit”. Sipas të dhënave zyrtare, disa mostra kanë treguar përqendrime 20 deri në 30 herë mbi nivelet normale të përdorimit, duke ngritur alarmin për dëme serioze në kultura bujqësore, pjellorinë e tokës dhe zinxhirin ushqimor.

Ministritë e Bujqësisë dhe Mjedisit në Liban paralajmëruan se spërkatja ajrore e këtyre substancave përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për burimet natyrore, ujin dhe shëndetin publik, duke e cilësuar situatën si një krizë me pasoja afatgjata për mjedisin dhe popullsinë civile.