Alarm nga SHBA: Amerikanëve u kërkohet të ikin menjëherë nga Irani, situata e sigurisë në përkeqësim të fortë

Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një tjetër paralajmërim urgjent për qytetarët e tyre në Iran, duke u bërë thirrje të largohen sa më shpejt nga vendi për shkak të përkeqësimit serioz të situatës së sigurisë.

Në një njoftim zyrtar, Ambasada Virtuale e SHBA-së për Iranin thekson se amerikanët nuk duhet të mbështeten në ndihmën e qeverisë amerikane për evakuim, por të përgatisin vetë një plan largimi emergjent.

Sipas alarmit të sigurisë, në të gjithë vendin po vazhdojnë masa të forta kufizuese, përfshirë mbyllje rrugësh, ndërprerje të transportit publik, anulime dhe kufizime fluturimesh, si dhe bllokime të gjera të internetit. Autoritetet iraniane thuhet se po kufizojnë ndjeshëm aksesin në rrjetet mobile dhe fikse, duke e bërë komunikimin gjithnjë e më të vështirë.

Udhëzimi rekomandon që qytetarët amerikanë, nëse kushtet e sigurisë e lejojnë, të marrin në konsideratë largimin me rrugë tokësore drejt Armenisë ose Turqisë, si alternativa ndaj fluturimeve ajrore që po reduktohen.

Paralajmërimi nënvizon gjithashtu rrezikun e lartë të ndalimit, marrjes në pyetje apo arrestimit për shtetasit amerikanë në Iran. Ata këshillohen të shmangin tubimet dhe protestat, si dhe të mbajnë një profil të ulët.

Për ata që nuk kanë mundësi të largohen, rekomandohet të qëndrojnë në një ambient të sigurt, brenda banesës apo në një ndërtesë tjetër të mbrojtur, dhe të sigurojnë rezerva ushqimi, uji, ilaçesh dhe furnizimesh të tjera jetike për raste emergjente.