Një 19-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Shkodër, pas një operacioni të koduar “Livadhet 3”, që çoi në zbulimin e një arsenali provash të dyshuara kriminale brenda banesës së tij.
Gjatë kontrollit, uniformat blu sekuestruan mbi 164 mijë euro të dyshuara si të falsifikuara, municion luftarak, tetë telefona celularë, si dhe një automjet të rezultuar i vjedhur në Fushë Krujë që prej vitit 2019. Po ashtu, u gjetën edhe dy targa të raportuara të vjedhura në Tiranë gjatë vitit të kaluar.
Sipas policisë, arrestimi i të riut u krye me vendim gjykate, në kuadër të kontrolleve të ushtruara ndaj disa personave të dyshuar për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje. Operacioni i fundit vjen pas dy fazave të mëparshme, “Livadhet 1” dhe “Livadhet 2”, pjesë e të njëjtit hetim.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht veprimtarinë e dyshuar kriminale dhe për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë.









