Thellohet skandali tek AKSHI – vëllai i Ferit Hoxhës, ambasadorit shqiptar në BE nën hetim si pjesë e grupit kriminal

Skandali i aferës së AKSHI-t po merr përmasa edhe më të rënda, teksa në qendër të hetimeve del emri i Gëzim Hoxhës, vëllai i Ferit Hoxhës, ambasadorit të Shqipërisë pranë Bashkimit Europian. Ndërsa njëri hetohet nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal që dyshohet se ka zhvatur shtetin me dhjetëra miliona euro, tjetri vijon pa asnjë reagim publik detyrën si përfaqësuesi kryesor i Shqipërisë në institucionet e BE-së.

Gëzim Hoxha ndodhet nën masë sigurie dhe akuzohet për pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal në kuadër të dosjes së AKSHI-t. Ndërkohë, Ferit Hoxha mban postin e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shqipërisë në BE që prej korrikut 2024, periudhë që përkon me përfitimin e disa tenderëve sekretë nga kompanitë e vëllait të tij.

Sipas të dhënave të SPAK, kompania “First”, në pronësi të Gëzim Hoxhës, rezulton e përfshirë në disa fashikuj të dosjes së AKSHI-t, ku dyshohet se ka përfituar kontrata publike të paracaktuara, përfshirë një tender sekret me vlerë rreth 60 milionë euro. Prokuroria ka dokumentuar gjithashtu transfertë fondesh në shuma të konsiderueshme drejt subjekteve të tjera të përfshira në skemë, përfshirë “EA Solution”, të cilat cilësohen si fiktive dhe të përdorura për pastrimin e parave.

Në dosje përmendet edhe dëshmia e vetë Gëzim Hoxhës, i cili ka pranuar pagesa të konsiderueshme në formë ryshfeti, si dhe nënkontraktime të dyshimta në kuadër të tenderëve të AKSHI-t. SPAK thekson se aktiviteti i tij ka qenë aktiv dhe i qëndrueshëm në skemën kriminale, duke përfituar nga procedura prokurimi me kritere të manipuluara.

Paralelisht, hetimet kanë zbuluar edhe regjistrimin e disa kompanive të reja nga Hoxha në parkun e ashtuquajtur teknologjik DURANA në Xhafzotaj, një adresë që rezulton fiktive për dhjetëra subjekte të tjera nën hetim. Sipas Prokurorisë, këto kompani shërbenin si instrumente për qarkullimin dhe fshehjen e fondeve të përfituara nga tenderët sekretë.

Ndaj Gëzim Hoxhës është caktuar masa e sigurisë ndalim i daljes jashtë shtetit, ndërsa ai vijon të hetohet për pastrim parash në kuadër të organizatës kriminale. Megjithatë, pavarësisht rëndesës së akuzave dhe përfshirjes së drejtpërdrejtë familjare, deri më tani nuk ka asnjë reagim nga ambasadori Ferit Hoxha.

Hetimet pritet të zbardhin nëse aktiviteti publik diplomatik ka ndikuar apo ka krijuar lehtësi për aktivitetin privat të të vëllait, një çështje që tashmë mbetet në dorën e institucioneve ligjzbatuese.