SONDAZHI/ Trump kërkon marrjen e Groenlandës – CNN publikon rezultatin: Shumica e amerikanëve kundër

Shumica dërrmuese e qytetarëve amerikanë kundërshtojnë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të marrë kontrollin e Groenlandës, sipas një sondazhi të fundit të CNN, realizuar nga SSRS.

Të dhënat tregojnë se 75% e amerikanëve janë kundër kësaj ideje, ndërsa vetëm 25% shprehen në favor. Kundërshtimi është i theksuar veçanërisht mes demokratëve, ku 94% janë kundër, prej të cilëve 80% shprehen fuqishëm kundër. Edhe rreth 80% e të pavarurve politikisht neutralë e refuzojnë këtë nismë.

Brenda elektoratit republikan, qëndrimet rezultojnë të ndara: 50% e republikanëve dhe të pavarurve që anojnë nga Partia Republikane e mbështesin idenë, ndërsa 50% janë kundër.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar së fundmi në rrjetin e tij social se “çdo gjë më pak se kontrolli amerikan mbi Groenlandën është e papranueshme”. Megjithatë, ky qëndrim nuk gjen mbështetje të gjerë në opinionin publik dhe nuk ka sjellë përparim as pas takimeve mes zyrtarëve amerikanë dhe danezë të zhvilluara në Shtëpinë e Bardhë.

Skepticizëm ndaj politikës së zgjerimit

Sondazhi nxjerr në pah gjithashtu skepticizmin e amerikanëve ndaj një politike më të gjerë ekspansioniste. Gati 60% e të anketuarve mendojnë se Trump ka shkuar shumë larg në përpjekjet për të zgjeruar ndikimin e SHBA-së në vende të tjera, ndërsa vetëm rreth një e treta besojnë se veprimet e tij kanë qenë të përshtatshme.

Po ashtu, 55% e qytetarëve mendojnë se presidenti ka tejkaluar përdorimin e ushtrisë, ndërsa 57% thonë se politika e jashtme e administratës Trump ka dëmtuar imazhin e Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare – një shifër kjo më e lartë krahasuar me vitin e kaluar.

Amerikanët shfaqen më të ndarë sa i përket ndërhyrjes ushtarake në Venezuelë: 52% janë kundër, ndërsa 48% shprehen pro. Megjithatë, 58% kundërshtojnë përpjekjet e SHBA-së për të kontrolluar qeverinë venezueliane pas rrëzimit të ish-presidentit Nicolás Maduro.

Shumica e të anketuarve nuk besojnë se veprimet amerikane do të sjellin stabilitet në Venezuelë brenda një viti dhe rreth dy të tretat shprehen të shqetësuar për rrezikun e një pranie afatgjatë të trupave amerikane në vend.

Sipas sondazhit, shumica e amerikanëve besojnë se interesat për naftën venezueliane dhe demonstrimi i fuqisë ushtarake kanë qenë arsyet kryesore të ndërhyrjes së SHBA-së, ndërsa vetëm 26% mendojnë se përmirësimi i jetës së qytetarëve venezuelianë ka qenë një motiv kryesor i këtij veprimi.