Vendimi i Gjykatës së Apelit të Tiranës për të ndryshuar masën e sigurisë nga arrest në burg në arrest shtëpie për tre të dyshuarit për vrasjen e të riut Martin Çeços ka shkaktuar reagime të forta nga familjarët e viktimës.
Babai i të ndjerit ka reaguar ashpër pas vendimit, duke shprehur hapur humbjen e besimit te drejtësia dhe duke paralajmëruar veprime ekstreme ndaj personave që ai i konsideron përgjegjës për vrasjen e djalit të tij.
Në një deklaratë të rëndë emocionale, ai tha se djali i tij ishte i pafajshëm dhe se autorët, sipas tij, e kanë pranuar vetë krimin, por megjithatë janë lënë të lirë. Ai e cilësoi masën e arrestit shtëpiak si një “lirimin në praktikë” dhe u shpreh se nuk ka më asgjë për të humbur.
I moshuari deklaroi se nuk beson më te sistemi i drejtësisë, duke kujtuar se më herët ishte premtuar një dënim maksimal për këtë krim, ndërsa tani, sipas tij, të dyshuarit janë trajtuar me lehtësi. Ai paralajmëroi se është i gatshëm të ndërmarrë vetëgjyqësi dhe madje foli edhe për pasoja tragjike për veten e tij pas këtyre veprimeve.
Deklaratat e tij kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe gjendjen e rënduar psikologjike të familjarëve të viktimës, ndërsa pritet reagim nga autoritetet për situatën e krijuar pas vendimit të Apelit.









