FIFA dhe presidenti i saj, Gianni Infantino, shprehen tepër optimistë teksa po afrohet starti i Kupës së Botës 2026, kompeticioni më i rëndësishëm i futbollit që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Organizata më e lartë e futbollit botëror ka konfirmuar se deri më tani janë regjistruar rreth 500 milionë kërkesa për bileta, një shifër rekord që tregon interesin e jashtëzakonshëm për turneun. Entuziazmin e tij, Infantino e ndau edhe në rrjetet sociale.
“Lajmi i fundit! E pabesueshme – 500 milionë kërkesa për bileta për Kupën e Botës 2026. Faleminderit të gjithëve!”, shkroi presidenti i FIFA-s në një postim në Instagram.
Përveç tre vendeve organizatore, interesimi më i madh për biletat vjen nga shtete si Gjermania, Anglia dhe Brazili. Pas kritikave për çmimet e larta, FIFA njoftoi se disa bileta do të ofrohen me tarifa që nisin nga 60 dollarë, përmes federatave kombëtare të futbollit.
Ndeshja që ka regjistruar numrin më të madh të kërkesave në fazën e fundit të shitjes së biletave është përballja Kolumbi–Portugali, e planifikuar të luhet më 27 qershor në Miami.
Federata Ndërkombëtare e Futbollit bëri të ditur se aplikantët për bileta do të njoftohen jo më herët se 5 shkurti, datë kur do të zhvillohet shorti për shpërndarjen e biletave për ndeshjet me kërkesë më të lartë.









