PARALAJMERIMI/ Rama njofton ndërhyrjen në reformën e drejtësisë: Ende s’kemi drejtësi të paanshme dhe cilësore, por nuk jam në politikë për gjëra të lehta

Kryeministri Edi Rama, në hapjen e sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, duke folur për për pjesëmarrjen e tij në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, të zhvilluar në Paris me ftesë të Presidentit Emmanuel Macron, në komunikimin e sotëm nuk harroi të merrej me drejtësinë, pasi siç dihet pozitat e qeverisë së tij janë cënuar fort nga dosjet korruptive të hetuara nga SPAK.

Rama tha se samiti u fokusua në koordinimin mes SHBA-së, Ukrainës dhe vendeve aleate për sigurimin e një rrugë drejt paqes, ndërsa gjatë vizitës në Francë u takua edhe me ministrin francez të Drejtësisë për të diskutuar mbi ndihmën teknike në reformimin e politikës penale shqiptare dhe hartimin e Kodit të ri Penal në përputhje me standardet evropiane.

“Na duhet një reflektim serioz dhe afatgjatë për politikën penale, sepse ndonëse kemi sot një drejtësi të pavarur, falë reformës së mbështetur nga PS dhe populli shqiptar, ende nuk kemi arritur një drejtësi të paanshme dhe cilësore”, tha Rama.

Ai shtoi se rruga drejt një sistemi të drejtë është e vështirë, por theksoi se nuk është në politikë për të bërë punë të lehta: “Unë nuk i jam përkushtuar politikës për të bërë gjëra të lehta, apo për t’i marrë lehtë gjërat e rënda. Përkundrazi.”