MOTI I KEQ/ Dëbora mbulon juglindjen – qarkullim me vështirësi në zonat malore

Reshjet e dëborës kanë përfshirë që në orët e para të mëngjesit juglindjen e vendit, duke sjellë vështirësi në qarkullimin e mjeteve, kryesisht në zonat rurale dhe veçanërisht në akset malore, ku trashësia e dëborës ka shkuar deri në 15 centimetra.

Sipas autoriteteve, të gjitha rrugët nacionale janë të qarkullueshme pa probleme, me përjashtim të aksit Qukës–Qafë Plloçë, i cili vijon të jetë i bllokuar si pasojë e shkarjeve masive të shkëmbinjve.

Rrugët që lidhin zonat turistike Dardhë dhe Voskopojë janë të hapura dhe të kalueshme, por qarkullimi në këto akse kërkon kujdes të shtuar për shkak të prezencës së dëborës në rrugë.

Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimërore, ndërsa në zonat malore përdorimi i zinxhirëve është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet dhe bllokimet. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet përkatëse.