MBESHTETJA/ “Ëndrra për Realin, zemra te Bayern” – Kompany në mbrojtje të 17-vjeçarit Lennart Karl

Mesfushori i talentuar 17-vjeçar i Bayern Munich, Lennart Karl, ka kërkuar falje ndaj klubit pas deklaratave ku shprehu dëshirën për të luajtur një ditë te Real Madrid, komente që shkaktuan reagime te tifozët dhe në media.

Trajneri i skuadrës bavareze, Vincent Kompany, doli në mbështetje të futbollistit të ri, duke e cilësuar situatën si një “keqkuptim komunikimi” tipik për moshën e tij. Sipas Kompanyt, Karl ndihet shumë mirë te Bayern dhe ka respekt maksimal për klubin.

Edhe drejtori sportiv, Christoph Freund, theksoi se lojtari e kuptoi menjëherë gabimin dhe kërkoi falje, duke treguar pjekuri për një moshë kaq të re.

Drejtuesit e Bayernit nënvizojnë se prioritet mbetet zhvillimi dhe mirëqenia e talentit 17-vjeçar, duke shtuar se ëndrrat për të luajtur te klube si Real Madrid janë normale për futbollistët e rinj dhe nuk përbëjnë mungesë përkushtimi ndaj klubit aktual.

Pavarësisht reagimeve të shumta, Kompany dhe stafi drejtues janë të vendosur ta mbështesin Lennart Karl, duke e konsideruar këtë episod si pjesë të natyrshme të rrugëtimit të një adoleshenti që sapo ka nisur karrierën e tij profesionale.