Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i pandehur i drejtësisë përmes një postimi në rrjetet sociale reagon pas intervistës së fundit të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, si person në arrati dhe nën hetim për korrupsion nga SPAK duke e vlerësuar atë si një “luftëtar për të ardhmen e Shqipërisë”.
Sipas Metës, intervista e Ahmetajt ka dëshmuar seriozitet, integritet politik dhe profesional, si dhe angazhim atdhetar në denoncimin dhe çmontimin e asaj që ai e quan “organizata kriminale që ka marrë peng Shqipërinë”. Meta thekson se shumë nga akuzat dhe denoncimet e bëra prej Ahmetajt një vit më parë tashmë janë provuar, duke heshtur sipas tij kritikët dhe skeptikët.
Në postimin e tij, Meta ndalet edhe te çështja e zhdukjes së një kantine vere, e cila sipas tij ishte provë kyçe, duke e cilësuar këtë veprim si një “operacion shtetëror të kryer brenda natës” dhe jo një akt individual. Ai përmend gjithashtu përpjekjet për sekuestrimin e Ahmetajt, të cilat i quan të paligjshme dhe pjesë të një “manuali rrëmbimesh” të përdorur nga e njëjta organizatë, duke përmendur edhe raste të tjera konkrete.
Meta vlerëson se Arben Ahmetaj nuk po vepron më vetëm si dëshmitar apo denoncues, por si një figurë që synon të marrë lidershipin politik të socialistëve të zhgënjyer, të mashtruar dhe të shantazhuar. Sipas tij, Ahmetaj flet në emër të socialistëve patriotë, duke i ndarë ata nga struktura që Meta e quan organizatë kriminale dhe nga bashkia, të cilën e cilëson si “depozitë 26-vjeçare” të kreut të saj.
Në fokus të reagimit janë edhe denoncimet për ndikimin e trafikut të drogës në shoqëri, ekonomi dhe politikë. Meta thekson se Ahmetaj e konsideron drogën si burimin kryesor të të këqijave që prekin familjet shqiptare, ndërsa nënvizon se shtatë denoncimet e faktuara i kanë rikthyer atij besimin e njerëzve të ndershëm brenda Partisë Socialiste dhe administratës.
Veçanërisht shqetësuese, sipas Metës, janë dëshmitë e Ahmetajt për kapacitetet e dëmtuara portuale të vendit, çështje që ai e konsideron madhore për interesin kombëtar.
Në përfundim, Meta e krahason rolin e Ahmetajt me atë të politikanëve grekë që gjatë juntës ushtarake u zhvendosën në Perëndim për të luftuar për demokracinë e vendit të tyre, duke u shndërruar më pas në protagonistë të Greqisë së re.
Postimi:
𝐀𝐫𝐛𝐞𝐧 𝐀𝐡𝐦𝐞𝐭𝐚𝐣, 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐥𝐮𝐟𝐭𝐞̈𝐭𝐚𝐫 𝐩𝐞̈𝐫 𝐭𝐞̈ 𝐚𝐫𝐝𝐡𝐦𝐞𝐧 𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐬𝐞̈.
Intervista e fundit e Z. Arben Ahmetaj, dëshmoi seriozitetin dhe integritetin e tij politik, profesional dhe atdhetar për çmontimin e Organizatës Kriminale që ka marrë peng Shqipërinë.
Të gjithë ata që ngrinin dyshime mbi të vërtetat e tij një vit më parë, ka kohë që kanë mbyllur gojën, sepse gjithçka është provuar besnikërisht.
Të gjithë ata që vunë në diskutim çmimin 33.600 euro të shishes së verës që pinte Kreu i Organizatës, besoj se e kanë të qartë se zhdukja e kantinës provë të gjetur padashje, ishte një operacion shtetëror brenda natës dhe jo vepër e një kushëriri.
Përpjekja për sekuestrimin e tij (rrëmbimin) ilegal, është pjesë e manualit të rrëmbimeve që bën organizata, siç është provuar prej saj edhe nga rasti i Gerond Meçes dhe Daniel Shimës (dhe shumë raste të tjera).
Por ata gabojnë rëndë.
Duket qartë se Arben Ahmetaj nuk ka vendosur të jetë thjesht një dëshmitar e denoncues për çmontimin e organizatës kriminale.
Duket se ai ka bërë një hap të madh e cilësor përpara.
Ai ka vendosur të bëhet një lider i të gjithë socialistëve të mashtruar, të tradhëtuar dhe të shantazhuar nga organizata kriminale.
Ndaj dhe gjithmonë flet në emër të socialistëve, ndaj i ndan ata nga Organizata Kriminale dhe bashkia, depozita e parë dhe 26 vjeçare e Kreut të Organizatës.
Ahmetaj po flet si një socialist patriot, që e ndjen se regjimi që bazohet mbi trafikun e drogës po shkatërron shoqërinë në çdo aspekt ekonomik, social e politik.
Ai është i bindur se droga është nëna e të gjithë të këqijave (pasojave) për shoqërinë e çdo familje shqiptare.
Me 7 denoncimet e faktuara, Ahmetaj ka rimarrë lidershipin e luftës kundër korrupsionit dhe organizatës kriminale, por edhe ka fituar besimin e shumë njerëzve të ndershëm brenda PS e administratës se ai e ka seriozisht përmirësimin e qëndrueshëm të kujtesës.
Në veçanti, tronditëse janë dëshmitë e tij për kapacitetet e gjymtuara portuale të Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve, që duhet të kthehet në një çështje madhore për të gjithë.
Këtë rradhë me koherencën, kthjelltësinë, vërtetësinë e tij, ai mua më kujtoi shumë politikanë të shquar grekë, të cilët në pamundësi për aktivitet politik në Greqi gjatë juntës ushtarake, u zhvendosën në Perëndim për të luftuar që andej për të ardhmen demokratike të Greqisë .
Dhe ata u bënë protagonistë të fuqishëm në Greqinë e re.










