SULMI/ Dy ditë para vendimit për Ballukun – Rama përplaset me Gjykatën Kushtetuese: Akuza për “farsë” dhe “turp kombëtar”

Dy ditë përpara vendimit që Gjykata Kushtetuese pritet të marrë për çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj këtij institucioni, duke e akuzuar publikisht për shkelje logjike, morale dhe kushtetuese, nën argumentin e mbrojtjes së financave të shtetit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi procesin që po zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese si “farsën më të shëmtuar të imagjinueshme”, duke akuzuar dy shoqata gjyqtarësh se po kërkojnë rritje pagash përmes vendimeve gjyqësore dhe se po tentojnë të prishin hierarkinë shtetërore të pagave. Sipas tij, gjyqtarët tashmë janë kategoria më e lartpaguar në vend, si pasojë e mbështetjes së dhënë nga mazhoranca në kuadër të Reformës në Drejtësi.

Kryeministri paralajmëroi se një vendim i tillë do t’i hiqte qeverisë dhe parlamentit kompetencat kushtetuese për politikën e pagave, duke e cilësuar këtë si një precedent të rrezikshëm. “Ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, që nuk duhet të lejohet të kthehet në një turp kombëtar”, shkroi Rama, duke përgëzuar njëkohësisht SPAK-un që, sipas tij, nuk është përfshirë në këtë kërkesë.

Reagimi i kryeministrit vjen në një moment delikat institucional, kur Gjykata Kushtetuese pritet të shprehet për një çështje që prek drejtpërdrejt qeverinë dhe një nga figurat kyçe të saj. Gjuha e përdorur dhe koha e deklaratës kanë ngritur pikëpyetje mbi kufirin mes shprehjes së opinionit politik dhe ushtrimit të presionit publik ndaj një organi kushtetues.

Sulmi frontal ndaj gjyqtarëve, i shoqëruar me etiketime të forta, ndërsa një institucion tjetër i drejtësisë përjashtohet nga kritika dhe përgëzohet publikisht, krijon një ndarje të dukshme mes institucioneve të konsideruara “të pranueshme” dhe atyre që, në këtë rast, cilësohen problematike.

Në thelb, shqetësimi i shprehur për “piramidën e pagave” dhe financat publike shihet nga kritikët si selektiv, në një kontekst ku vetë qeveria ka miratuar rritje të diferencuara pagash, bonuse dhe skema të veçanta për sektorë të caktuar.

Në një shtet të së drejtës, Gjykata Kushtetuese pritet të flasë përmes vendimeve të saj, jo të reagojë ndaj presionit publik. Megjithatë, toni dhe momenti i reagimit të kryeministrit e bëjnë të vështirë të mos interpretohet ky qëndrim si një sinjal presioni ndaj një institucioni që pas dy ditësh pritet të marrë një vendim me peshë të madhe politike dhe ligjore.