MOTI I KEQ/ Greqia “pushtohet” nga përmbytjet – mbyllen shkollat – ja zonat më të rrezikuara… 

Greqia po përballet me një valë të fortë moti të keq, e shoqëruar me rënie të ndjeshme të temperaturave, reshje intensive shiu dhe dëbore, duke vënë disa rajone të vendit në gjendje alarmi.

Me vendim të Guvernatorit Rajonal të Atikës, Nikos Hardalias, dhe pas rekomandimeve të Komitetit të Vlerësimit të Rrezikut, Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve të Emergjencës, është urdhëruar mbyllja e të gjitha shkollave publike dhe private në të gjithë rajonin e Atikës ditën e mërkurë, më 21 janar. Vendimi përfshin shkollat fillore, të mesme dhe ato të natës.

Autoritetet sqarojnë se masa është parandaluese dhe synon mbrojtjen e nxënësve dhe stafit arsimor, për shkak të rreziqeve të shtuara nga lëvizja në kushte të vështira atmosferike, ndërsa reshjet e dendura pritet të intensifikohen nga mesi i ditës.

Sipas buletinit të emergjencës të Shërbimit Kombëtar Meteorologjik Grek, moti i keq do të shoqërohet me:

– shira dhe stuhi të forta që nga orët e para të mëngjesit të së mërkurës në zonat qendrore dhe jugore, me përhapje të mëvonshme drejt Detit Egje;

– reshje të dendura dëbore në zonat malore dhe gjysmëmalore të Greqisë kontinentale, përfshirë Thesalinë dhe Maqedoninë, lokalisht edhe në zona me lartësi më të ulët;

– erëra të forta dhe rënie të ndjeshme të temperaturave.

Ndërkohë, Qendra Kombëtare e Koordinimit për Operacionet dhe Menaxhimin e Krizave (ESKEDIK) ka njoftuar se ndodhet në gatishmëri të plotë dhe në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet vendore dhe strukturat përgjegjëse, për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë menjëherë nëse kushtet përkeqësohen.