Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, zhvilloi sot një takim me drejtuesin e sapozgjedhur të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho.
Në një njoftim zyrtar në rrjetet sociale, Prezenca e OSBE-së bëri të ditur se ambasadori Tarran e përgëzoi Brahon për zgjedhjen në detyrë, duke i uruar suksese në ushtrimin e këtij roli të rëndësishëm dhe sfidues.
Gjatë takimit, ambasadori ripohoi mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme të Prezencës së OSBE-së për SPAK-un, duke theksuar rolin kyç të këtij institucioni në procesin e reformës në drejtësi, forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e besimit të publikut te institucionet demokratike në Shqipëri.
Palët diskutuan gjithashtu bashkëpunimin aktual dhe perspektivat e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes OSBE-së dhe SPAK-ut, përfshirë mbështetjen për rritjen e kapaciteteve institucionale, këshillimin për politika dhe shkëmbimin e praktikave më të mira ndërkombëtare.
Ambasadori Tarran ritheksoi angazhimin e vazhdueshëm të OSBE-së për të mbështetur institucionet e drejtësisë në Shqipëri, ndërsa mirëpriti edhe pikëpamjet e drejtuesit të ri të SPAK-ut mbi mënyrat konkrete për forcimin e këtij bashkëpunimi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.









