Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja ka zbuluar një bisedë të zhvilluar rreth pesë vite më parë me ish-ambasadorin amerikan në Shqipëri, Donald Lu, në kohën kur po miratohej reforma në drejtësi.
Gjatë emisionit “Kjo Javë” në News 24, Lubonja tha se ambasadori amerikan i kishte pohuar se ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta do të përfundonin në burg, ndërsa Shqipëria do të avanconte drejt integrimit evropian. Sipas tij, Lu kishte shtuar se më pas radha do t’i vinte edhe kryeministrit Edi Rama.
“Unë këto biseda i kam bërë me ambasadorin amerikan. Më tha se do futeshin Berisha dhe Meta, Shqipëria do të hynte në Europë dhe në fund do t’i vinte radha edhe Ramës. Madje më tha të vinim bast se kjo do të ndodhte për një ose dy muaj, por kanë kaluar më shumë se pesë vjet”, u shpreh Lubonja.
Në analizën e tij, Lubonja kritikoi ashpër mënyrën se si, sipas tij, është zbatuar reforma në drejtësi, duke akuzuar kryeministrin Rama se ka përdorur fasadën e reformës për të konsoliduar pushtetin dhe për të dobësuar opozitën. Ai tha se Rama ka qenë “mjeshtër për të shitur demokracinë” dhe për t’u lidhur me elementë kriminalë, duke krijuar një sistem ku drejtësia, sipas tij, është vënë nën kontroll politik.
Lubonja u ndal edhe te raportet e OSBE-së, duke përmendur vlerësimet për krijimin e një “partie-shtet” dhe ndikimin e krimit në zgjedhje, çka sipas tij e ka bërë kryeministrin më të fuqishëm se kurrë. Ai shtoi se pakënaqësia e madhe qytetare nuk është reflektuar politikisht, ndërsa forcat e reja opozitare nuk kanë arritur të kanalizojnë këtë pakënaqësi.
Sipas Lubonjës, paradoksi i reformës në drejtësi qëndron në faktin se, ndonëse u prezantua si një hap drejt pavarësisë institucionale dhe mbështetjes amerikane, në praktikë ajo ka prodhuar një drejtësi selektive, duke shërbyer më shumë si mjet politik sesa si garanci për barazi para ligjit.
DEKLARATA:
Fatos Lubonja: Kemi pasur një periudhë kur kemi pasur opozitë më të fortë, kemi pasur president më të pavarur, kemi pasur institucione që kontrollonin njëri-tjetrin. Me atë që ka ndodhur me atë që ka thënë OSBE që është krijuar një parti shtet, që ka futur krimin në zgjedhjet elektorale, në këto kushte Edi Rama është shumë më i fortë dhe ka marrë drejtësinë në dorë.
Prova që dha opozita e re, Shehaj e Lapaj, që nuk ndiqen më, nuk e ka fajin Saliu. Me këtë pakënaqësi të madhe që ka populli, votat do të transferoheshin tek ata.
Rama ka qenë mjeshtri për të shitur demokracinë dhe për t’u lidhur me kriminelët. Paradoksi qëndron në faktin se kur u bë reforma në drejtësi pyetja ishte nëse do bëhej e pavarur dhe nëse do ishin amerikanët pas.
Pra, le të bëjmë një reformë në drejtësi, që këta e marrin si një ecje përpara, në letra, dhe në disa arrestime, të fusim disa kryeministra që kanë bërë korrupsion por në të vërtetë ne mbrohemi nga këta dhe shkatërrojmë opozitën. Pra në fasadë të bëjmë drejtësinë dhe prapa kësaj të bëjmë padrejtësi.
Unë këto muhabete i kam bërë me ambasadorin amerikan. Futen dy, Saliu dhe Meta, Shqipëria futet në Evropë. Dhe në fund më tha se do t’i vijë radha dhe Ramës. Madje më tha kur do vëmë bast se do të ndodhë për një ose 2 muaj. Por kanë kaluar më shumë se 5 vjet.









