Presidenti amerikan Donald Trump ka tërhequr zyrtarisht ftesën për Kanadanë që t’i bashkohej Bordit të Paqes, një nismë ndërkombëtare e shpallur prej tij për zgjidhjen e konflikteve globale.
Vendimi u bë i ditur të enjten përmes një postimi në platformën Truth Social, drejtuar kryeministrit kanadez Mark Carney. Në mesazhin e tij, Trump shkruan se Bordi i Paqes po tërheq ftesën për anëtarësimin e Kanadasë në atë që ai e cilëson si “Bordin e Liderëve më prestigjioz të mbledhur ndonjëherë”.
Trump e prezantoi këtë iniciativë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke deklaruar se bordi do të ishte një nga organet më të rëndësishme globale. Fillimisht, ai u përshkrua si një mekanizëm i përkohshëm për mbikëqyrjen e qeverisjes dhe rindërtimit të Gazës, ndërsa më pas u parashikua të kishte anëtarë të përhershëm që, sipas Trump, do të kontribuonin financiarisht me nga 1 miliard dollarë secili.
Ndërsa shumica e demokracive perëndimore refuzuan t’i bashkohen bordit, kryeministri Carney kishte shprehur një pranim parimor, duke theksuar megjithatë se Kanadaja nuk kishte shqyrtuar ende strukturën, funksionimin dhe mënyrën e financimit të tij. Ministri kanadez i Financave, François-Philippe Champagne, bëri të qartë se Ottawa nuk kishte ndërmend të paguante shumën prej 1 miliard dollarësh për një vend të përhershëm në bord.
Tensionet mes dy liderëve u përshkallëzuan edhe gjatë Forumit të Davosit. Në një fjalim të tij, Carney kritikoi sjelljen e Trump, duke folur për një “përçarje” të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Trump reagoi ashpër, duke deklaruar se “Kanadaja jeton falë Shteteve të Bashkuara”, deklaratë që u hodh poshtë nga Carney, i cili u përgjigj se “Kanadaja lulëzon sepse është Kanade”.
Trump ka deklaruar se, pasi bordi të formohet plotësisht, ai do të ketë kompetenca të gjera dhe do të veprojë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara. Krijimi i Bordit të Paqes është miratuar përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në kuadër të planit të Trump për Gazën, ndërsa OKB-ja ka sqaruar se përfshirja e saj do të kufizohet vetëm në këtë kontekst.
Deri më tani, ftesën e Trump e kanë pranuar Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Egjipti, Katari, Bahrejni, Pakistani, Turqia, Hungaria, Maroku, Kosova, Armenia, Argjentina, Paraguai, si dhe disa vende të Azisë Qendrore dhe Juglindore. Edhe Izraeli është pjesë e bordit, ndonëse kryeministri Benjamin Netanyahu ka shprehur pakënaqësi për përfshirjen e Turqisë dhe Katarit në strukturat ekzekutive.
Shqipëria ka konfirmuar gjithashtu pranimin e ftesës për anëtarësim, ndërsa Kuvendi e ka ratifikuar marrëveshjen me votat e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Ndërkohë, aleatë të tjerë të SHBA-së, si Britania e Madhe, Franca dhe Italia, kanë sinjalizuar se për momentin nuk do t’i bashkohen kësaj nisme.









