Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka shprehur rezerva të forta ndaj iniciativës “Bordi i Paqes” të presidentit amerikan Donald Trump, duke deklaruar se shumica e vendeve evropiane nuk mund t’i bashkohen kësaj nisme, pasi ajo tejkalon mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në një intervistë për emisionin Europe Today të Euronews, Mitsotakis tha se ekziston një konsensus i gjerë në Evropë se struktura dhe kompetencat e Bordit të Paqes shkojnë përtej kornizës ligjore ndërkombëtare të përcaktuar nga OKB-ja. “Ajo që është njoftuar nga Donald Trump tejkalon mandatin e Këshillit të Sigurimit. Për këtë arsye, shumica e vendeve evropiane nuk mund të ecin përpara me këtë nismë”, u shpreh ai.
Deklaratat e Mitsotakisit erdhën një ditë pas pjesëmarrjes së tij në një takim urgjent të Këshillit Evropian, të fokusuar në marrëdhëniet transatlantike, dhe pas lançimit zyrtar të Bordit të Paqes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Iniciativa, e cila rrjedh nga plani 20-pikësh i Trump për armëpushimin në Gaza, i miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, është zgjeruar më pas përtej mandatit fillestar dhe është kritikuar për krijimin e një strukture paralele me OKB-në, si dhe për përfshirjen e mundshme të Rusisë.
Mitsotakis theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol në rindërtimin e Gazës, por nënvizoi se një plan i tillë duhet të kufizohet vetëm në territorin e Gazës dhe të ketë një afat kohor të përcaktuar.
Shumë aleatë evropianë, përfshirë Norvegjinë, Suedinë dhe Francën, kanë refuzuar pjesëmarrjen në Bord, ndërsa vende të tjera, si Italia, kanë bërë të ditur se nuk do t’i bashkohen për momentin. Në ceremoninë e nënshkrimit në Davos morën pjesë më pak se 20 shtete, ndjeshëm më pak se pritshmëritë fillestare të administratës Trump. Hungaria dhe Bullgaria ishin të vetmet vende anëtare të BE-së që u përfshinë.
Duke komentuar tensionet e fundit me SHBA-në për çështjen e Grenlandës, Mitsotakis shprehu lehtësim pas tërheqjes së Trump nga kërcënimi për veprime ushtarake, duke theksuar se marrëveshja e re për sigurinë e Arktikut, e ndërmjetësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përbën një zhvillim pozitiv.
“Sot, marrëdhënia transatlantike është më komplekse dhe duhet menaxhuar ndryshe. Bashkimi Evropian duhet të mbrojë interesat e veta”, përfundoi kryeministri grek.









