Trump zbulon ekzistencën e “armëve sekrete” amerikane: Janë aq të fuqishme sa duhet të mbeten të fshehta

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se SHBA-të disponojnë armë sekrete, të panjohura për pjesën tjetër të botës, të cilat sipas tij duhet të mbahen ende larg vëmendjes publike.

Në emisionin Katie Pavlich Tonight, Trump u shpreh se Amerika ka kapacitete ushtarake të jashtëzakonshme, pa dhënë detaje mbi natyrën apo aftësitë e tyre.

“Kemi armë për të cilat askush nuk di. Ndoshta është më mirë të mos flasim për to, por janë vërtet të mahnitshme”, tha ai.

Deklarata erdhi pas një pyetjeje që lidhej me një operacion amerikan në Venezuelë, çka ka nxitur spekulime se teknologji të tilla mund të jenë përdorur edhe në operacione të fshehta, megjithëse Trump nuk konfirmoi asnjë detaj konkret.

Zhvillimet ushtarake të SHBA-së

Trump ka paralajmëruar edhe më herët rritje të ndjeshme të kapaciteteve ushtarake amerikane. Në tetor 2025, ai njoftoi synimin për të rifilluar testet bërthamore, për herë të parë pas 33 vitesh, duke deklaruar se kishte udhëzuar Pentagonin të testonte arsenalin bërthamor “në kushte të barabarta” me fuqitë e tjera bërthamore.

Presidenti amerikan ka pohuar gjithashtu se SHBA-të zotërojnë një arsenal atomik më të madh dhe armë më të avancuara sesa Rusia.

Në të njëjtën linjë, Trump bëri të ditur krijimin e një klase të re anijesh luftarake, të quajtura “Trump”. Anijet e para të kësaj klase pritet të kushtojnë deri në 22 miliardë dollarë secila, duke i renditur ndër më të shtrenjtat në historinë e Marinës amerikane.

Sipas të dhënave zyrtare, anija e re luftarake me raketa të drejtuara do të peshojë rreth 35 mijë ton, do të ketë një ekuipazh deri në 850 persona dhe do të jetë dy herë më e madhe se çdo kryqëzor apo shkatërrues i ndërtuar që nga Lufta e Dytë Botërore, megjithëse më e vogël se aeroplanmbajtësja Gerald R. Ford, aktualisht anija më e shtrenjtë e SHBA-ve.