Autoritetet venezueliane kanë nisur lirimin e disa të burgosurve politikë, një zhvillim që po interpretohet si një provë e rëndësishme për kursin e ri politik në vend. Ky hap vjen pas ngjarjeve të fundit që kanë rritur presionin ndërkombëtar ndaj Karakasit dhe është cilësuar nga qeveria si një gjest vullneti të mirë.
Ministria e Jashtme e Spanjës konfirmoi lirimin e pesë shtetasve spanjollë, mes të cilëve edhe aktivistja e njohur venezueliano-spanjolle Rocío San Miguel. Sipas familjarëve të saj, ajo është dërguar në ambasadën spanjolle në Karakas, duke u bërë rasti i parë i konfirmuar publikisht i lirimit.
Lirimet u njoftuan nga kreu i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, i cili deklaroi se një “numër i konsiderueshëm” personash të ndaluar do të lirohen menjëherë, pa dhënë detaje për shifrat apo identitetet. Sidoqoftë, organizatat e të drejtave të njeriut vlerësojnë se qindra të burgosur politikë vazhdojnë ende të mbahen në burgjet e vendit.
Vëmendja ndërkombëtare është përqendruar veçanërisht te burgu famëkeq “El Helicoide”, ku besohet se ndodhen ende nga 50 deri në 80 të ndaluar. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka dhënë urdhër për mbylljen e këtij institucioni, i cili është përmendur shpesh në raportet ndërkombëtare për tortura dhe keqtrajtime.
Organizata për të drejtat e njeriut, përfshirë Provea, e kanë përshëndetur me kujdes këtë hap, duke theksuar se mbyllja e El Helicoide nuk duhet të zhvendosë vëmendjen nga qendrat e tjera të ndalimit që vazhdojnë të funksionojnë në Venezuelë.
Ndërkohë, liderja e opozitës dhe fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, Maria Corina Machado, ka përsëritur thirrjen për lirimin e të gjithë të burgosurve politikë. Opozita vazhdon të akuzojë qeverinë se prej vitesh përdor arrestimet si mjet për të shtypur kundërshtimin dhe për të heshtur zërat kritikë.









