Gjykata e Lartë ka ndryshuar gjyqtarin relator në çështjen që lidhet me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin Çela. Fillimisht, me short në vitin 2022, relator ishte caktuar gjyqtari Sokol Binaj, por në dhjetor të vitit të kaluar ai ka dhënë dorëheqjen.
Burime bëjnë me dije se si relator i ri është caktuar gjyqtari i sapoemëruar Genti Shala. Dorëheqja e Binajt është motivuar me faktin se ai kishte shqyrtuar më herët kërkesa gjyqësore të Tahirit gjatë kohës kur ushtronte detyrën në ish-Apelin e Krimeve të Rënda.
SPAK ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kundërshtuar vendimin që e dënoi Tahirin vetëm për shpërdorim detyre. Prokuroria e Posaçme kërkon që ish-ministri të shpallet fajtor edhe për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, duke kërkuar një dënim prej 12 vitesh burg.
Në shkallën e parë, ish-Gjykata për Krime të Rënda e dënoi Tahirin me 5 vite burg për shpërdorim detyre, dënim që u reduktua në 3.4 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndërsa më pas u vendos pezullimi i ekzekutimit të dënimit dhe vendosja në provë.
Ky vendim u ankimua nga të dyja palët dhe Apeli i GJKKO-së e rrëzoi pezullimin, duke caktuar vuajtjen e dënimit me 3.4 vite burg. Pas disa muajsh në vuajtje dënimi, Tahiri u lirua nga Gjykata e Elbasanit për shkak të rrethanave familjare, pa e përfunduar të plotë dënimin.
Në Gjykatën e Lartë, përveç caktimit të relatorit Genti Shala, pritet të përcaktohet edhe data e seancës si dhe dy anëtarët e tjerë të trupës gjykuese, të cilët do të shqyrtojnë rekursin e SPAK dhe atë të vetë Tahirit, i cili kërkon pafajësi.









