Rreth 25 tonë misër i importuar nga Serbia, i kontaminuar me Aflatoksinë B1 mbi normat e lejuara, është shpërndarë dhe shitur në ferma blegtorale në Shqipëri, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e qytetarëve. Substanca në fjalë klasifikohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si kancerogjene e Grupit 1.
Misri i kontaminuar është përdorur si ushqim për kafshët, duke rritur rrezikun që toksina të kalojë në qumësht dhe në nënproduktet e tij, të cilat më pas bëhen të pasigurta për konsum. Ekspertët theksojnë se Aflatoksina nuk shkatërrohet as nga zierja, as nga pasterizimi apo nga përpunimi industrial, çka e bën situatën edhe më alarmante.
Sipas të dhënave zyrtare, në territorin shqiptar kanë hyrë gjithsej 78.060 kilogramë misër i kontaminuar nga Serbia. Nga kjo sasi, 24.760 kilogramë janë shpërndarë dhe shitur në ferma blegtorale, ndërsa pjesa tjetër është bllokuar.
Kjo situatë nxjerr në pah dështimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për të parandaluar në kohë qarkullimin e produktit të rrezikshëm. Pasojat e Aflatoksinës në organizmin e njeriut përfshijnë rritjen e rrezikut për kancer të mëlçisë, dobësimin e sistemit imunitar, si dhe efekte më të rënda te fëmijët, përfshirë pengesa në rritje dhe zhvillim.
Duke qenë se produkte potencialisht të kontaminuara mund të kenë përfunduar në treg, ngrihen pyetje publike për drejtuesit e AKU-së: sa qumësht i kontaminuar është prodhuar nga këto ferma, sa prej tij ka përfunduar në treg dhe kush mban përgjegjësi kur ushqimi i pasigurt arrin në tryezat e qytetarëve?
Misri me prani të Aflatoksinës B1 është shpërndarë në qarqet Fier, Lezhë, Shkodër, Dibër, Elbasan dhe Kavajë. Deri në marrjen e përgjegjësive institucionale, rreziku që produktet ushqimore të jenë të kontaminuara mbetet një kërcënim i heshtur për konsumatorët.









