HETIMI I BALLUKUT/ SPAK kontroll banesës dhe zyrave të Arbër Abazit – lidhje familjare me zv/kryeministren dhe përfshirje në tenderin e Unazës së Madhe

SPAK ka kryer kontrolle në banesën dhe ambientet e punës së Arbër Abazit, në kuadër të hetimeve që lidhen me procedurat e tenderimit për ndërtimin e Unazës së Madhe në Tiranë. Sipas burimeve mediatike, Abazi ka lidhje familjare me zëvendëskryeministren dhe ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, pasi bashkëjeton me vajzën e tezes së saj.

Hetimet fokusohen në tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, ku fitues është shpallur bashkimi i kompanive “Alko-Impex General Construction” dhe “2T sh.p.k.”. “Alko-Impex” është degë e një kompanie me të njëjtin emër të regjistruar në Kosovë, në pronësi të shtetasit kosovar Imer Ademi, i cili kontrollon gjithashtu edhe shoqërinë koncesionare “Kukur Hydro Energy”, ku administrator figuron Arbër Abazi.

Emri i Abazit është përfshirë në dosjen hetimore ndaj Ballukut, ndërsa përmes përgjimeve janë ngritur dyshime për favorizime në procesin e tenderimit. Kontrollet e SPAK pritet të hedhin më shumë dritë mbi përfshirjen e aktorëve të lidhur me zyrtarë të lartë në këtë procedurë.