Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ashpërsuar qëndrimet e tij ndaj drejtimit aktual të PD-së gjatë një takimi në Korçë, duke deklaruar se ai personalisht ka paguar kosto të rënda në përballjen me qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Pa përmendur emra konkretë, Salianji tha se, ndryshe nga figura të tjera politike, ai ka përfunduar në burg si pasojë e betejës së tij me qeverinë, ndërsa të tjerë – sipas tij – kanë përfituar leje, tendera dhe pasuri.
“Kam mbajtur kosto nga kjo qeveri. Kur unë kam bërë burg, shumë të tjerë kanë marrë leje, kanë marrë tendera dhe kanë bërë para”, u shpreh Salianji.
Ai e konsideroi të padrejtë që ai dhe demokratët që, sipas tij, kanë fituar përballje direkte me Edi Ramën, të etiketohen si problem për Partinë Demokratike, ndërkohë që drejtues të tjerë janë mundur vazhdimisht në zgjedhje që prej vitit 2013.
“Si mund të thuhet që qenka problem për PD unë dhe ju që e kemi mundur Edi Ramën, dhe jo ata që i dërrmon Edi Rama në çdo palë zgjedhje që nga viti 2013?”, deklaroi ai.
Salianji theksoi se Partia Demokratike, sipas tij, ka ende forcën për të bërë ndryshimin, për t’u hapur dhe për të bashkuar demokratët e pakënaqur. Ai u shpreh i emocionuar nga prania e mbështetësve, duke e cilësuar atë si dëshmi se ka ende shqiptarë dhe demokratë që nuk dorëzohen dhe nuk e pranojnë, sipas tij, “poshtërimin” e situatës aktuale.









