POSTIMI/ Ambasada gjermane mbështet SPAK: Përparime konkrete në hetimin dhe luftimin e korrupsionit

“Një drejtësi e pavarur dhe efektive është thelbi i çdo shoqërie demokratike dhe të lirë”, thuhet në postimin e ambasadës

Ambasada gjermane në Tiranë ka ndarë detaje nga takimi që kryediplomati Johann Wadephul zhvilloi me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani.

Ministri i Jashtëm gjerman ishte në Tiranë dy ditë më parë në kuadër të një vizite në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Një drejtësi e pavarur dhe efektive është thelbi i çdo shoqërie demokratike dhe të lirë”, thuhet në postimin e ambasadës.

“Me SPAK, ka një institucion të fortë që po bën përparime konkrete në hetimin dhe luftimin e korrupsionit. Shoqëria dhe ekonomia mund të lulëzojnë vetëm kur mundësitë shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe ka besim në institucionet e pavarura”.

Ballkani Perëndimor – referuar deklaratës – ka prioritet për Gjermaninë, dhe se vendi e mbështet fuqimisht rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.

“Dinamika në Shqipëri është e jashtëzakonshme, kohët e fundit ndoshta asnjë vend tjetër në rajon nuk ka bërë përparime të tilla.

Gjermania vlerëson angazhimin e madh që shumë shqiptare dhe shqiptarë po bëjnë, si në politikë, administratë dhe shoqëri civile, për të realizuar reforma të vërteta”.

Sipas ambasadës, është e qartë se nuk mund të ketë rrugë të shkurtra për këto reforma.

“Por nëse Shqipëria e ndjek vazhdimisht këtë rrugë dhe intensifikon përpjekjet e saj, mundësitë për të arritur sukses së shpejti janë të mëdha”.

“Reformat të mëtejshme duhet të miratohen dhe të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së mediave, dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, vijon postimi.