Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kujtoi nëntë vjetorin e shenjtërimit së Nënë Terezës, për të cilën tha se ka lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme bamirësie dhe humanizmi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kujtoi nëntë vjetorin e shenjtërimit së Nënë Terezës, të cilën e vlerësoi si zëri i të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve.
Osmani e nisi postimin e saj me origjinën e Nënë Terezës, nga fshati Letnicë, duke thënë se ajo ka lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme bamirësie dhe humanizmi.
“Nga fshati i vogël i Letnicës, ku dëgjoi thirrjen hyjnore, në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan dhe pastaj në çdo anë të botës, Nënë Tereza i dha zë të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve, duke lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme bamirësie dhe humanizmi”.
Presidentja shtoi se rrugëtimi i saj frymëzoi miliona njerëz dhe se trashëgimia e saj është thirrje për të gjithë.
“Rrugëtimi i saj frymëzoi miliona njerëz. Veprat e Shën Terezës na kujtojnë fuqinë e bamirësisë dhe humanizmit, prandaj trashëgimia e saj është një thirrje për secilin prej nesh: të jemi pranë të tjerëve, të dhurojmë dashuri dhe shpresë, si dhe ta ndërtojmë një botë më të drejtë dhe më paqësore”, ka shkruar ajo.
Më 5 shtator shënohet shenjtërimi i Nënës Terezë, por edhe përvjetori i vdekjes së saj në vitin 1997.









