Sam Altman, drejtues i OpenAI, e quajti Trump-in “një president që mbështet biznesin dhe inovacionin si askush më parë”
Një darkë e veçantë u zhvillua të enjten në mbrëmje në Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, priti disa nga figurat më të fuqishme të botës së teknologjisë.
Mes të ftuarve ishin drejtuesit e kompanive më të mëdha amerikane si Mark Zuckerberg (Meta), Tim Cook (Apple), Bill Gates (Microsoft), Sam Altman (OpenAI) dhe Sundar Pichai (Google/Alphabet). Të gjithë, me tone të ndryshme, shprehën mbështetje dhe vlerësim për presidentin amerikan dhe qasjen e tij ndaj biznesit dhe inovacionit.
“Nuk është gjë e vogël të mbledhësh një grup të tillë në një vend”, tha Mark Zuckerberg, i ulur në të djathtë të presidentit, ndërsa e cilësoi takimin si historik për industrinë.
Ai vuri në dukje se kompanitë që përfaqësojnë të ftuarit janë duke bërë investime masive në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe infrastrukturës që do të mundësojë valën e ardhshme të inovacionit teknologjik.
Edhe Tim Cook falënderoi Trump-in për atë që e quajti “mbështetje e fortë për biznesin amerikan në nivel global”, në një kohë kur presidenti ka kërcënuar me sanksione tregtare ndaj vendeve që vendosin rregullime ndaj gjigantëve të teknologjisë amerikane, veçanërisht Bashkimit Evropian.
Sam Altman, drejtues i OpenAI, e quajti Trump-in “një president që mbështet biznesin dhe inovacionin si askush më parë”, duke shtuar se kjo përbën një ndryshim të mirëpritur në skenën politike dhe ekonomike të SHBA-ve.
I ulur pranë Zonjës së Parë, Melania Trump, bashkëthemeluesi i Microsoft-it, Bill Gates, ruajti një ton më të ndryshëm.
Ai theksoi nevojën që inteligjenca artificiale të vihet në shërbim të zhvillimit ndërkombëtar, përfshirë ndihmën ndaj popullsive më të varfra jashtë SHBA-ve.
Gates përmendi edhe programin amerikan “Warp Speed” që mundësoi zhvillimin dhe shpërndarjen e shpejtë të vaksinave kundër COVID-19, si shembull i fuqisë së inovacionit amerikan.
Në këtë darkë mungonte Elon Musk, dikur aleat i afërt i Trump, por tashmë i distancuar publikisht. Ai njoftoi në median e tij sociale X se ishte i ftuar në darkë, por nuk mund të merrte pjesë, duke dërguar një përfaqësues në vend të tij.









