Mëngjesi i sotëm ka nisur vrullshëm për Partinë Socialiste dhe konkretisht për kryeministrin Edi Rama. I pari i qeverisë ka zhvilluar një mbledhje me dyer të mbyllura me grupin Parlamentar në Kryesinë e Kuvendit. Edhe pse porositë e kryeministrit kanë qenë të posaçme për deputetët dhe ministrat e tij, është arritur të mësohen disa nga të thënat e Ramës sot në mbledhje.
Ai u ka tërhequr vëmendjen të gjithëve që të mos jenë pjesë e televizioneve pa koordinimin mes tyre. Gjithashtu i ka urdhëruar që të mos mungojnë në asnjë mbledhje të grupit parlamentar, përjashtuar rastet kur arsyet janë madhore.
Ndër të tjera, u ka kërkuar që të mos ndalojnë në rrugë për të dhënë intervista për gazetarët, në mënyrë që të mos bëhen objekt diskutimesh apo memesh në rrjetet sociale.
Siç duket, kryeministri Edi Rama është i qartë në këtë mandat të katërt dhe siç u shpreh edhe në Asamblenë e Partisë Socialiste, nuk ka më kohë për të pritur askënd, pjesë të kësaj familjeje.









