DOSJA “PARTIZANI”/ Shtyhet seanca në GJKKO për dosjen “Partizani”, përplasja e Malltezit me gjyqtaren (DEBATI) 

Shtyhet seanca në Gjykatën e Posaçme për dosjen “Partizani” me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin dhe 3 të tjerët.

Seanca e radhës do të mbahet më datë 29 shtator ora 11:00. Gjatë seancës së sotme Berisha ka zgjedhur mos marrë pjesë por u përfaqësuanga avokatët e tij të cilët kanë kërkuar shpallen e pavlefshme të akuzave.

Gjatë reagimit për mediat, Berisha ka theksuar se do të marrë pjesë në seancë vetëm nëse e këshillojnë avoketërit e tij.

Gjithashtu  edhe avokati i Jamarbër Malltezit ka kërkuar pavlefshmëri absolute të të gjitha akteve procedurale të kryera gjatë fazës hetimore.

Sipas mbrojtjes, Malltezi nuk implikohet me dy akuzat “korrupsion pasiv” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale”, pasi sipas tij, në asnjërin rast nuk qëndron ligjërisht lidhja e klientit të tij me faktet.

Mësohet se gjatë seancës avokati Klodian Skënderi ngriti një pretendim duke kërkuar pavlefshmëri të vendimeve gjyqësore të marra gjatë hetimeve paraprake, me argumentin se ato janë firmosur nga një person pa titullin magjistrat.

Çfarë ndodhi brenda seancës?! Malltezi përplaset me gjyqtaren

Gjatë seancës, Malltezi pati debate me gjyqtaren Elsa Ulliri.

Dhëndri i Sali Berishës po vijonte me akuza në sallën e gjyqit të GJKKO, ku pretendon se kallëzimi i Taulant Ballës për aferën Partizani ishte i rremë, por gjyqtarja i tërhoqi vëmendjen duke i thënë se këto akuza nuk kanë të bëjnë me kërkesat paraprake.

Malltezi: Kërkoj mediat në sallë të filmojnë të gjithë procesin. Në Shqipëri vettingu u krye nga motra e Ballukut, ndërsa kreu i ILD është vëllai i ministres së Ramës. Është proces penal i stisur nga Taulant Balla. Kjo nuk është shpifja e parë e Taulant Ballës. Kallëzimi i z. Balla ishte dukshëm i rremë.

Gjyqtarja: Këto nuk janë kërkesa paraprake

Malltezi: Aty janë 30 falsifikime. Unë kërkoj që e gjithë aktakuza të hidhet poshtë dhe të dërgohen për ndjekje penale personat përgjegjës.

Në përfundim të seancës, Malltezi vijoi akuzat ndaj gjyqtares së GJKKO, Irena Gjokës për të cilën tha se ka qenë e dënuar në Greqi dhe ndaj saj nuk është marrë asnjë masë.

“Është një proces politik siç u dëshmua. Kemi identifikuar me dhjetëra falsifikime të dokumentit zyrtar akt-akuzë. Ka 3 vite që u mbajt e fshehtë, u fshehën emrat e personave ndaj të cilëve zhvilloheshin hetime. U përmend edhe fakti që Irena Gjoka mbrohet me një kokëfortësi të çuditshme nga Edi Rama sepse është përdorur si kamikaze për të luftuar opozitën. Vendimi i dënimit të Irenës nuk ka dënime dhe prapë KLGJ nuk vepron, Prokuroria e Përgjithshme fshihet pas gishtit. E gjithë kjo çështje nuk ka hetim, kanë hedhur në erë gjithë hetimin”, tha Malltezi. 

Kujtojmë që dosja “Partizani” kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit.

Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Fatmir Bektashi është i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash.