“DETYRIM PARAQITJE”/ “Po shkulte leshrat, po qante dhe po bërtiste…” – Sali Berisha nga SPAK, sulmon sërish Altin Dumanin: Kriminel, bënte pazare me banditë

Ish-kryeministri Sali Berisha, është paraqitur paraditen e kësaj të hëne në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

I shoqëruar nga avokati i tij, Genc Gjokutaj, kryetari i Partisë Demokratike shkoi në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për dosjen “Partizani”.

Përpos deputetëve të djathtë në mbështetje të Berishës ishin mbledhur para Prokurorisë së Posaçme me dhjetëra demokratë të cilët tanimë e kanë kthyer në “traditë” shkuarjen në SPAK kur lideri i tyre paraqitet për të zbatuar masën e sigurisë.

Gjatë fjalës së tij për mediat, Berisha vijoi me akuzat e tij kundrejt kreut të SPAK, Altin Dumanit i cili sipas kryedemokratit përgjatë kësaj kohe është përpjekur që të zgjasë mandatin e tij i cili i përfundon në dhjetor të këtij viti.

“Altin Dumani po shkulte leshrat, po qante dhe bërtiste sepse u bënë pluhur përpjekjet e tij puçiste antikushtetuese për të zgjatur mandatin. Ky kriminel kushtetues përdori detyrën, besimin dhe ligjin për të bërë pazare për interesa personale.

Ky kriminel kushtetues amnistoi ministra që bënin pazare me kartelet e drogës, Taulantin që zbatonte porositë e Suelit për të arrestuar kundërshtarët e bandës së Suelit.  Taulantin, që urdhërohej nga Çela për të liruar terroristët që vendosën nën shalën e biçikletës së Lulzim Kullës tritolin.

Bënte pazare me krimet e Uluziut, që merrte dy kostume të bukura nga Altin Hajri dhe që kërkonte nga banditët dhe trafikantët 500 mijë euro dhe çantën Louis Vuitton se i duhej për zonjën. Pazare me Edi Ramën sepse e nxori Olsin të panjohur, në një kohë kur Olsi ishte absolutisht në krye të organizatës kriminale të grupit të Xibrakës që drejtohej nga Hakmarrja për Drejtësi.

Po edhe ajo e Geron Meçes, e dini ju atë, që Geron Meçe i thoshte këtij Daniel Shimës se ABS-ja është Fangu dhe se te tenderat ndërhyn vetë Zonja e Parë, zonja Basha”, tha Berisha.

Ndërkohë, theksojmë se po sot në GJKKO do të mbahet seanca për Berishën, dhëndrin e tij, Jamarbar Malltezin dhe tre të pandehurit e tjerë, Fatmir Bektashi, Xhim Begeja dhe Andia Pustina.

Më 21 korrik, avokatët e Berishës dhe Malltezit kërkuan një trupë tjetër gjykuese dhe për këtë arsye seanca u shty për më 15 shtator.

Në një deklaratë për mediat vetë Malltezi u shpreh se si ai po ashtu dhe kryedemokrati kërkojnë që të gjykohen nga gjyqtarë të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre jashtë GJKKO-së.

Sipas Malltezit, togat e zeza në Gjykatën e Posaçme janë nën kontrollin e SPAK dhe BKH-së dhe nuk mund të japin një verdikt të pavarur.

“Janë të kërcënueshëm janë të cënueshëm janë pjesë që i nënshtrohen survejimit, kontrollit, monitorimit nga SPAK. Për këtë arsye nuk ajnë të pavarur, është detyra e shtetit të caktojë gjykatë të pavarur.

Të gjithë gjyqtarët të cilët sipas ligjit nuk janë të shantazhueshëm, Kjo gjykatë këtu sipas ligjit është e shantazhueshme. I kemi informacionet që këtyre gjyqtareve këtu i sekuestrohet telefoni. Ne jemi në një çështje absurde që është nisur për të sulmuar Sali Berishën. Kanë nisur çështje për objekt të cilin nuk e kishin fare temë”, tha Malltezi.

Kujtojmë se në maj të këtij viti gjyqtarja Flojera Davidhi kaloi për gjykim dosjen “Partizani” në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi” dhe personave të tjera, të cilët janë të pandehur në këtë proces gjyqësor që ka nisur më shumë se një vit më parë.

SPAK e akuzon ish-kryeministrin, dhëndrin e tij dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani”. Në këtë territor, janë ngritur 18 kulla banimi dhe shërbimesh.

FAKTI PENAL NË NGARKIM TË SALI BERISHËS DHE JAMARBËR MALLTEZIT:

Në vijim të hetimit, është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, nga:

Shtetasi Sali Berisha, është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

1- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, jane kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi.

2- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij.

3- Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

Përfitimi i parregullt në favor të shtetasit Jamarbër Malltezi, në cilësinë e bashkëshortit të vajzës së Kryeministrit, shtetasit Sali Berisha, ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se është:

1- Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi Jamarbër Malltezi.

2- Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi Jamarbër Malltezi.

3- Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi Jamarbër Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672.976.832 lek ose 5.420.345 euro.

Shtetasi Jamarbër Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin S. B., pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta si më poshtë:

1- Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi Jamarbër Malltezi.

2- Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë shtetasi Jamarbër Malltezi.

3- Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi Jamarbër Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672.976.832 lek ose 5.420.345 euro.

Të pandehurit për dosjen “Partizani”:

-Sali Berisha: Akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin

-Jamarbër Malltezi: Akuzohet për  “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.

– Fatmir Bektashi: Akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

– Xhimi Begeja: Ortaku i Jamarbër  Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’  akuzuar për veprën penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim

– Andia Pustina: Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k;  Akuzohet për ‘Pastrim Parash’.

-Studio Pustina sh.p.k: Akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”

-Shoqëria Homeplan sh.p.k.: Akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”

-Shoqëria Kontakt sh.p.k.: Akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.